Të mërkurën, më 13 tetor qytetarët në veri të Kosovës po kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.
Drejtoresha e spitalit në Mitrovicën e Jugut, Luljeta Zhubi tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani dy policë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ata janë duke u ekzaminuar për të parë se çfarë lloji të lëndimeve kanë pësuar, përcjell FolDrejt.com.
Ndërkaq, sipas drejtorit të Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, Zllatan Ellek gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë kundërshtuar aksionin policor.
Ai nuk specifikoi për çfarë lëndimesh bëhet fjalë sepse sipas tij, “pacientët janë në fazën e diagnostikimit”.
Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t’i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt policisë dhe të cilët kanë hedhur gjësende të forta në drejtim të zyrtarëve policorë.
Në Mitrovicë të Veriut turmat janë shpërndarë, ndërkaq aksioni i Policisë vazhdoi edhe në Zveçan. Aktualisht, në Mitrovicë të Veriut, situata raportohet të jetë e qetë.