Policia kineze rrahu dhe arrestoi një gazetar të BBC-së që mbulonte një protestë kundër masave Covid-19 në Shangai, por ai u lirua nga paraburgimi pas disa orësh, raportoi BBC, raporton Reuters, transmeton Fol Drejt.
“BBC është jashtëzakonisht e shqetësuar për trajtimin e gazetarit tonë Ed Lawrence, i cili u arrestua dhe u prangos teksa mbulonte protestat në Shangai. Ai u ndalua për disa orë. Gjatë arrestimit, policia e ka rrahur dhe shkelmuar. Kjo ndodhi ndërsa ai ishte duke punuar si gazetar i akredituar”, tha në një deklaratë zëdhënësi i shërbimit publik britanik.
Shanghai është një nga qytetet e shumta kineze që proteston kundër kufizimeve të rrepta për shkak të Covid-19.
Protestat u përhapën pasi një ndërtesë mori flakë në Urumqi në perëndim të vendit dhe banorët e saj nuk mund t’i shpëtonin zjarrit për shkak të masave të rrepta, ku humbën jetën dhjetë persona.
BBC thotë se nuk ka marrë asnjë shpjegim të besueshëm për ndalimin e Lawrence.
“Ne nuk kemi marrë asnjë shpjegim apo falje zyrtare nga autoritetet kineze, përveç pretendimit të zyrtarëve që më vonë e liruan se e arrestuan për të mirën e tij në rast se ai infektohej me Covid-19 nga turma”, sipas BBC./FolDrejt/