Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro ka kritikuar ashpër heshtjen e qarqeve qeverisëse në vendet evropiane ndaj ekstremistëve që përdhosën Kuranin, librin e shenjtë për myslimanët, në Suedi dhe Danimarkë, shkruan TASS, transmeton Fol Drejt.
“Unë i dënoj këto akte raciste të urrejtjes kundër kombeve myslimane,” i tha ai TV Al Mayadeen, “Heshtja e liderëve evropianë mbi djegien e kopjeve të Kuranit është befasuese, gjë që përbën bashkëpunimin e tyre në krim.”
Sipas Maduros, është e pamundur të mbyllësh një sy ndaj provokimeve të tilla që poshtërojnë Islamin dhe pasuesit e tij. “Çfarë do të thoshin të krishterët evropianë nëse një Bibël do të digjej para tyre? Prandaj, reagimi i zemëruar i botës islame ndaj përdhosjes së kopjeve të librit të shenjtë është krejt i natyrshëm,” vuri në dukje ai.
Aksionet anti-islame që përfshinin djegien e Kuranit u zhvilluan më 25 korrik pranë ambasadave të Egjiptit dhe Turqisë në Kopenhagë. Një aksion i ngjashëm u krye një ditë më parë përpara ambasadës së Irakut. Të gjitha u organizuan nga grupi ultranacionalist i ekstremit të djathtë Danish Patriots.
Më 28 qershor, djegia e Kuranit ndodhi gjatë një demonstrate të autorizuar nga policia në qendër të Stokholmit. Salwan Momika, një emigrant irakian 37-vjeçar, grisi faqe nga Kurani dhe i vuri flakën. Më 20 korrik, ai organizoi një tjetër provokim përpara ambasadës së Irakut në Stokholm, duke nxitur protestuesit të sulmojnë ambasadën suedeze në Bagdad.