Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar gjendjen me barrikadat duke thënë se nuk kanë qenë asnjëherë më të rrezikshme se tani.
Ajo i ka shprehur këto mendime në emisionin Rubikon, të klankosovës, transmeton Fol Drejt.
“Ajo çfarë po ngjanë në veri, nuk është Kosova ajo që ia ka mohuar të drejtat në asnjë moment, janë barrikadat e dirigjuara nga Vuçiqi që kanë rezultuar me situata të tilla sepse ato barrikada nuk i kemi vendosur ne”, është shprehur Osmani.
“Në qoftë se ato janë akoma aty, është jo për shkak se nuk ka pasur gatishmëri të Policisë së Kosovës për t’i larguar, por për shkak se ka qenë vlerësim i përbashkët edhe i institucioneve të Kosovës edhe ndërkombëtare të sigurisë që largimi i menjëhershëm mund të çojë në viktima të shumta”.
“Nuk kanë qenë asnjëra nga barrikadat e kaluara barrikada të tilla çfarë janë ato sot. Asnjëherë barrikadat nuk kanë qenë më të rrezikshme sesa këto që janë vendosur tani”.
“Tani po e përsëris sërish, janë vlerësime të institucioneve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare të cilat vlerësime deri në këto momente janë të klasifikuara të cilat ndoshta pas një jave apo më shumë edhe do të mund t’i deklasifikojmë”.
“Por, për shkak se mund të rrezikohet jeta e policëve tanë, ushtarëve të KFOR-it, personelit të EULEX-it, e civilëve mbi të gjitha, unë nuk mund për momentin t’i jap ato detaje”, ka shtuar tutje Osmani./FolDrejt/