Pas pritjes dhe takimit me homologun nga Malta, presidentja Osmani, në një konferencë për media ka vlerësuar marrëdhëniet me Maltën, ndërkohë që ka folur edhe për liberalizimin e vizave, duke kërkuar që t’i jepet fund përjashtimit të qytetarëve të Kosovës nga ky proces.
Për takimin me presidentin e Maltës, Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Malta i ka dhënë Kosovës.
“Kjo vizitë është edhe njëherë dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme dypalëshe mes shteteve tona, ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme nga shteti i Maltës që nuk ka munguar asnjëherë në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës” – ka thënë presidentja Osmani.
Ndërkohë, për çështjen e vizave, presidentja Osmani, duke thënë se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim që katër vjet, ka kërkuar që t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës.
“Kanë kaluar më shumë se katër vite që kur Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret në procesin e liberalizimit të vizave, duhet t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës nga ku proces. Prandaj, shpresojmë që vendimi të merret më së largu deri në dhjetor, përgjatë presidencës çeke dhe që pastaj vendimi për liberalizimin e vizave të hyjë në fuqi sipas praktikave të deri tanishme, duke mos përcaktuar kritere të reja teknike, të cilat vetëm sa do ta vazhdonin padrejtësinë e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës” – është shprehur Osmani./FolDrejt/