Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” po planifikon që nga muaji korrik në rajonin e Prishtinës të nisë me reduktime të furnizimit me ujë, për shkak të gjendjes së rëndë të liqeneve akumuluese.
Zëdhënësja e KRU “Prishtinës”, Arieta Mjeku, ka thënë se liqeni i Batllavës aktualisht është në 8.05 metra nën nivelin maksimal, ndërsa liqeni i Badovcit është 10.45 metra nën nivelin maksimal.
“Nga korriku planifikojmë të fillojmë me aplikimin e reduktimeve në zona të shërbimit. Sidomos në zonat që furnizohen nga Badovci, sepse edhe liqenin e Badovcit e kemi në gjendje më të vështirë”, ka thënë Mjeku
Ajo ka përsëritur apelin e KRU “Prishtinës” që qytetarët të bëjnë shpenzime racionale që të ruhen rezervat e ujit për periudhat vijuese, ndërsa ka theksuar se “përveç shpenzimit të ujit apelojmë edhe për pagesa të rregullta për shërbimet që të ruajmë qëndrueshmërinë financiare të kompanisë, e cila ndërlidhet me shërbimet e ofruara për konsumatorët”