Priftërinjtë e Kishës Katolike Romake abuzuan seksualisht me rreth 2000 fëmijë në shtetin amerikan të Illinoisit nga vitet 1950 deri në 2010, tha prokurori i atij shteti në një raport të ri.
Ai detajon se si udhëheqësit e kishës shpesh toleronin dhe mbulonin abuzimin. Në një raport prej 696 faqesh, Prokurori i Përgjithshëm i Illinois Kwame Raoul bëri akuza për abuzim ndaj 451 priftërinjve katolikë në gjashtë dioqeza, raporton Reuters.
Raporti publikoi për herë të parë emrat e 149 priftërinjve ndaj të cilëve kishte akuza të besueshme për abuzim seksual.
Raporti u urdhërua në vitin 2018 nga paraardhësja e Raulit, Lisa Madigan, e cila akuzoi Kishën për nën-raportim të numrit të rasteve, pasi fillimisht kishte identifikuar 103 persona përgjegjës për abuzim në radhët e saj.
“Dekada vendimesh dhe politikash nga udhëheqësit katolikë kanë lejuar keqpërdoruesit e njohur të fshihen”, tha Raul.
Raporti është pjesë e disa hetimeve në mbarë botën për abuzimin seksual në Kishën Katolike dhe praktikën e shpeshtë të mosdënimit të përgjegjësve, por transferimit të tyre në vende të tjera, duke vënë në rrezik edhe më shumë fëmijë, transmeton Fol Drejt.