Anëtarët e organizatës “Lëvizja për Popullin” dhe partia pro-ruse Sor organizuan demonstrata të reja kundër qeverisë aktuale në kryeqytetin e Moldavisë, Chisinau, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
Sipas mediave rumune, disa qindra demonstrues u mblodhën në sheshin e kryeqytetit dhe kërkuan dorëheqjen e zyrtarëve në pushtet.
“Ne jemi Moldavia!”, “Poshtë Maia Sandu”, janë vetëm disa nga pankartat që mund të shiheshin në këto protesta.
Gjithashtu, anëtarët dhe simpatizantët e partisë Sor bllokuan një nga bulevardet në Chisinau në shenjë proteste që policia nuk lejoi grumbullimet në sheshin e Asamblesë së Madhe Kombëtare.
“Një nga personat tentoi të thyente kordonin e formuar nga policia. Në atë moment ka pasur një përleshje mes demonstruesve dhe policisë”, shkruajnë mediat moldave.
Me rastin e demonstratave të reja, policia moldave njoftoi se nuk po kufizon lëvizjen e demonstruesve, por se nuk mund të lejojë ardhjen e automjeteve që nuk i plotësojnë standardet teknike.
“Lejohet lëvizja e mjeteve të transportit që plotësojnë kushtet teknike. Pasagjerët kanë refuzuar dhe kanë kushtëzuar policinë që të mos ndjekë procedurën për dokumentimin e parregullsive të konstatuara”, shkruan Digi 24.
Kjo është gjithashtu protesta e dytë e madhe e mbështetur nga partia Sor në Moldavi. Protesta e parë u mbajt tetë ditë më parë kur demonstruesit kërkuan edhe dorëheqjen e zyrtarëve shtetërorë.
Partia Sor akuzoi autoritetet se kanë mobilizuar mijëra policë për të penguar demonstratat dhe për të penguar njerëzit të hyjnë në kryeqytet.
Lideri i partisë, Ilan Sor, është një oligark moldav, i cili aktualisht ndodhet në ekzil në Izrael. Ai është përfshirë në një vjedhje bankare prej një miliardë dollarësh dhe së fundmi është vendosur në listën e sanksioneve të Departamentit të Shtetit të ShBA-së dhe është akuzuar se punon për interesat ruse. /FolDrejt/