Mijëra persona kanë protestuar të shtunën në Paris dhe qytete të tjera franceze kundër pasaportës së detyrueshme shëndetësore për hyrjen në shumë ambiente publike. Këtë masë, Qeveria franceze e prezantoi në përpjekje për të luftuar valën e katërt të pandemisë COVID-19.
Protestuesit kanë lënduar tre zyrtarë policorë në Paris, tha një zëdhënës i policisë.
Kjo është fundjava e tretë me radhë që qytetarët, përmes protestave, po kundërshtojnë masat e reja kundër COVID-19 të prezantuara nga presidenti francez, Emmanuel Macron, raporton Reuters, përcjell FolDrejt.com.
Qytetarët që duan të vizitojnë muzetë, kinematë apo pishinat, tashmë u ndalohet hyrja nëse ata nuk kanë pasaportë shëndetësore që dëshmon se janë vaksinuar kundër COVID-19 apo nëse nuk kanë një test negativ për koronavirus.
Policia vlerësoi se rreth 13.500 persona morën pjesë në protestën në Paris.
Rreth 3.000 zyrtarë policorë dolën në kryeqytetin francezë për të mbikëqyrur protestat.
Autoritetet synuan që të shmangin ngjarjet e javës së kaluar ku pati përleshje mes policisë dhe protestuesve.,
Protesta të shtunën u mbajtën edhe në Marsej, Lion, Montepelier, Nantez, Tuluz, ku protestuesit brohoritën “Liri” dhe “Jo pasaportave shëndetësore”.