Kryeqyteti i Kanadasë ndodhet në një situatë kritike.
Kryetari i Otavës, Jim Watson ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Kjo ka ndodhur pas një jave të protestave të shoferëve të kamionëve, kundër kufizimeve për luftim të pandemisë.
Ai ka thënë se qyteti dhe situata është “plotësisht jashtë kontrollit” dhe se numri i protestuesve është më i madh sesa i zyrtarëve policorë, transmeton Fol Drejt.
Sipas Watson, protestat e organizuara përbëjnë kërcënim për sigurinë e banorëve të Otavës përderisa qendra e qytetit është paralizuar, pasi rrugët janë bllokuar nga makinat dhe tendat. Duke u nisur nga ky fakt, ai edhe e ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Fushata “Konvoji i Lirisë” ka nisur pas prezantimit të rregullave të reja kundër pandemisë, për shoferët e kamionëve. Sipas këtyre rregullave, të gjithë shoferët e kamionëve duhet të jenë të vaksinuar për të kaluar kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.
Pas publikimit të rregullit, protestat janë përhapur edhe kundër kufizimeve tjera për luftim të pandemisë. Watson nuk ka dhënë hollësi specifike se çfarë masash mund të marrë, mirëpo policia ka thënë se do të rrisë sigurinë në kryeqytet, duke përfshirë edhe arrestimin e mundshëm të atyre që mbështesin protestuesit duke u dërguar ushqime apo gjëra të tjera, duke u mundësuar atyre qëndrimin në rrugë dhe rrezikimin e jetës së qytetarëve.