Policia është munduar të shpërndaj qindra protestues në Hagë të cilët po kundërshtojnë masat e izolimit, të vendosura për ta luftuar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit
Policia ndërhyri kur protestuesit shkelën rregullat e mbajtjes së distancës fizike dhe injoruan thirrjet e autoriteteve të sigurisë që të shpërndahen.
Autoritetet ndaluan shërbimin e trenave në Hagë, për të parandaluar arritjen e më shumë protestuesve. Policia paralajmëroi protestuesit se nëse nuk shpërndahen, ata do të ndërhyjnë.
Holanda ka qenë nën masa të izolimit që prej janarit dhe në këtë shtet është e ndaluar që të mblidhen më shumë se dy persona. Po ashtu, restorantet dhe baret janë mbyllur dhe gjatë natës aplikohet edhe kufizimi i lëvizjes.
Duke filluar nga e hëna do të hapen vendvotimet të cilat do të qëndrojnë të hapura për tre ditë, me qëllim që të mos ketë grumbullim të qytetarëve.
Partia e kryeministrit aktual holandez, Mark Rutte po synon që të marrë edhe një mandat të ri katërvjeçar.
Shumica e qytetarëve holandezë përkrahin masat e izolimit, pasi ky shtet ka një ndër shkallët më të larta të infektimit në koronavirus në Evropë.
Por, masa e kufizimit të lëvizjes gjatë natës është zgjatur deri në fund të marsit dhe kjo ka nxitur pakënaqësi të qytetarëve të cilët kanë mbajtur protesta në disa qytete holandeze.