Në përgjigje të reformës që zgjati me 2 vjet moshën e pensionit në Francë, punonjësit e pastrimit në kryeqytetin Paris vendosën të hyjnë në grevë të pacaktuar që nga 13 prilli.
Sipas lajmeve të televizionit francez BFMTV, organizata ombrellë e shumë sindikatave, Sindikata e Përgjithshme e Punëtorëve (CGT), ka njoftuar Bashkinë e Parisit se punonjësit e pastrimit do të nisin grevë pa afat më 13 prill, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në deklaratën dërguar kryebashkiakes Anne Hidalgo u kërkohet punëtorëve të sektorit të marrin pjesë sa më shumë në grevën kundër reformës së diskutueshme të pensioneve të qeverisë.
Në shkrim thuhet se në grevat që do të mbahen në të gjithë vendin më 6 prill do të marrin pjesë edhe punonjësit e pastrimit.
Kryebashkiakja Hidalgo njihet për kërkesën e tërheqjes së reformës dhe mbështetjen e grevave.
Gjithashtu, vendimi i lartpërmendur i grevës me afat të pacaktuar ka rëndësi simbolike pasi është marrë një ditë para datës 14 prill, kur Këshilli Kushtetues do të marrë vendimin për reformën që po shqyrton.
Këshilli ose do të japë “dritën e gjelbër” për reformën më 14 prill ose do të kërkojë tërheqjen e saj.
– Parisi u bë agjendë me tonelatat e plehrave
Punonjësit e pastrimit në Paris kishin hyrë në grevë më parë në datat 6-29 mars dhe në kryeqytet ishin grumbulluar më shumë se 10 mijë grumbuj plehrash për shkak të grevës.
Për shkak të mbeturinave të lëna në tokë për ditë të tëra, minjtë filluan të shfaqen shpesh në rrugët e Parisit dhe qeveria reagoi ndaj grevës, duke argumentuar se situata ishte bërë kërcënim për shëndetin publik.
Rrugët e Parisit, të mbushura me grumbuj plehrash, ishin në rend dite prej kohësh në shtypin ndërkombëtar dhe rrjetet sociale.
Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin kishte udhëzuar Zyrën e Guvernatorit të Parisit të prezantonte një procedurë të “punës së detyruar” për të krijuar një staf minimal të punonjësve të pastrimit./FolDrejt/