Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka refuzuar thirrjet për të ndaluar goditjen e fëmijëve në Angli. Shumë kanë bërë thirrje që kjo formë e abuzimit të fëmijëve të shpallet jashtë ligjit në atë vend.
Përkatësisht, ndëshkimi fizik i fëmijëve është i ndaluar në Uells, Skoci dhe Xhersi. Organizatat bamirëse apeluan që Anglia të ndjekë praktikën e tyre, shkruan BBC, përcjell Fol Drejt.
Ndërsa qeveria konfirmoi se nuk do të ndryshonte qëndrimin e saj, një zëdhënës i Departamentit të Arsimit tha se “nuk fal asnjë dhunë ndaj fëmijëve dhe ka ligje të qarta për ta parandaluar atë”.
Peter Wanless nga NSPCC (Fondacioni Kombëtar për Parandalimin e Mizorisë ndaj Fëmijëve) tha: “Nuk është e drejtë që është e paligjshme në këtë vend të godasësh një të rritur, por mbrojtje e barabartë nuk u jepet fëmijëve. Ne duhet të vendosim mirëqenien së pari të fëmijëve dhe ndalo tek kjo anomali”.
Sipas një sondazhi me afro 3000 persona mbi moshën 18 vjeç, dy të tretat (68 përqind) thanë se ishin kundër ndëshkimit trupor të fëmijëve.
Hulumtimet kanë treguar se ndëshkimi fizik shpesh e përkeqëson sjelljen e fëmijës. Sipas një punimi të botuar në The Lancet, i cili shqyrtoi rezultatet e 69 studimeve mbi këtë temë, “ndëshkimi trupor nuk shoqërohet me ndonjë rezultat pozitiv për fëmijët dhe rrit rrezikun që fëmijët të përjetojnë dhunë serioze ose neglizhencë”./FolDrejt/