Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova është duke e përjetuar situatën më të rëndë që nga paslufta.
Sipas tij, kjo situatë e rëndë vije për shkak të inflacionit, reduktimeve të energjisë, rritjes së çmimeve, papunësisë, ikjes së të rinjve e mungesës së investimeve publike.
“E përderisa qytetarët pyesin se ku është qeveria për të ndërmarrë veprime lehtësuese, qeveria vepron me masa hakmarrëse ndaj mësimdhënësve e shërbyesve civilë, duke ua ndalë pagat për shkak të grevës”.
“Vetëm një qeveri e paaftë për të qeverisur dhe pa kurrfarë vizioni për të adresuar sfidat socio-ekonomike të qytetarëve mund të lëshohet në vendime të tilla arbitrare. Ky mentalitet sanksionues ndaj mësimdhënësve tanë nuk është parë e as dëgjuar në Kosovë që nga koha e okupimit serb dhe masave të dhunshme të viteve ’90”, ka shkruar Krasniqi, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se ministri Murati sot do të duhej të dilte me masa ekonomike e iniciativa konkrete, e jo duke e luajtur, sipas tij, rolin e ndëshkuesit.
“Me këtë qasje, qeverisja depresive e Albin Kurtit, po provon ta grabisë në mënyrë represive të drejtën e mësimdhënësve e shërbyesve civilë për të jetuar dinjitetshëm. Kjo e drejtë nuk mund t’iu mohohet as mësimdhënësve, as askujt tjetër. Prandaj, zgjidhje është dialogu e jo hakmarrja”.
“Fytyra e qeverisjes së Kosovës së pavarur e demokratike nuk duhet të jetë qeverisja depresive e represive. Qeveria duhet që të përmbushë obligimet ndaj mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë si dhe të lejë anash këtë logjikë shantazhi e revanshi. Kjo situatë kërkon masa lehtësuese për gjendjen, jo masa ndëshkuese për mësuesit”, shkroi Krasniqi, transmeton Klankosova.tv.