Qeveria e Holandës kërkon që të pengohet eksportimi në Rusi nga kompanitë e treta ndërmjetëse të mikroçipëve që prodhojnë kompanitë teknologjike në vend.
Sipas transmetuesit publik NOS, mikroçipet e kompanive teknologjike holandeze NXP dhe Nexperia, eksportohen nga kompanitë kineze dhe më pas u shiten kompanive ruse të armëve, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra në një deklaratë në parlament e ka cilësuar si një “situatë të çuditshme” mospengimin plotësisht të mbërritjes së mikroçipeve në Rusi.
Ai vuri në dukje se mund të merret mbështetje nga njësitë e inteligjencës për të gjetur se si mikroçipet mbërrijnë në Rusi.
Duke kërkuar nga kompanitë teknologjike holandeze që të ndjekin më mirë se ku shkojnë mikroçipet, Hoekstra tha: “E di që kompanitë bëjnë shumë përpjekje por duhet të ketë më shumë”.
Hoekstra tha se në kontratat e blerjes së mikroçipeve mund të zbatohen sanksione edhe ndaj kompanive kineze.
Mikroçipet u gjetën në armët ruse
Hulumtuesit e agjencisë së lajmeve NOS, në lajmin e publikuar më 27 janar theksuan se Rusia vitin e kaluar ka importuar miliona mikroçipe të prodhuara në Holandë.
Në lajmin ku janë dhënë informacione edhe me mënyrën se si kanë mbërritur në Rusi mikroçipet që janë përdorur nga kompanitë ruse të armëve, thuhet se mikroçipet e blera në Holandë nga kompanitë kineze janë eksportuar në Rusi disa muaj më pas.
Më tej theksohet se këto mikroçipe janë identifikuar në tanket ruse MSTA-S Howitzer, helikopterët atak Alligator dhe në dronët-kamikaz të ndryshëm të kapura në Ukrainë dhe se këto mikroçipe u përkasin kompanive teknologjike holandeze NXP dhe Nexperia.
Kompanitë teknologjike kineze Sinno Elektronics dhe Sigma që importojnë mikroçipe në sasi të mëdha nga Holanda kanë kryer eksporte të produkteve teknologjike në Rusi, thuhet në lajmin ku bëhet e ditur se SHBA-ja që nga qershori 2022 zbaton sanksione ndaj kompanisë Sigma Technology me arsyen e shkelur sanksionet ndaj Rusisë.
Përgjigjja e kompanive holandeze
Në një deklaratë me shkrim nga kompanitë teknologjike holandeze NXP dhe Nexperia thuhet se zbatohen sanksionet kundër Rusisë.
Në deklaratë vihet theksi se nuk dëshirojnë që mikroçipet t’i dërgohen Rusisë dhe kryesisht kompanive të armëve.
Kompanitë holandeze kanë thënë se po përpiqen të marrin masat e nevojshme./FolDrejt/