Pesë vendet e QUINT-it në Kosovë, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kërkuar prapë nga Qeveria e Kosovës që të fillojë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Manastirit të Deçanit.
“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës. Prandaj, sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”, thuhet në një deklaratë të lëshuar sot.
QUINT-i thotë se përkundër se Gjykata Kushtetuese në maj të 2016-ës, vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit, ende nuk është zbatuar vendimi, transmeton Klankosova.tv
“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike”.
Sipas tyre, këto janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.