Para ndërhyrjes ushtarake, sekretarja e përgjithshme e ‘Amnesty International’, Agnes Callamard, tha se është e frikshme të imagjinohet se çfarë përmasash mund të arrijë kriza e refugjatëve në rast të përshkallëzimit të armiqësive në Ukrainë.
Mijëra ukrainas po dynden në stacionin e trenit për t’u larguar nga kryeqyteti Kiev pas ndërhyrjes ushtarake në vend, përderisa qyteti është tronditur nga disa shpërthime mëngjesin e sotëm, shkruan AA.
Seria e shpërthimeve në Kiev u dëgjua në orën 04:20 të mëngjesit me orën lokale, e ndjekur nga shpërthime të tjera më vonë. Sirenat u dëgjuan kudo, duke paralajmëruar publikun të kërkojë strehim. Sirenat në Kiev po ashtu u dëgjuan edhe në orën 07:05 sipas kohës lokale.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se të paktën tre persona u plagosën në një sulm me raketa në një ndërtesë në kryeqytetin ukrainas. Duke shpërndarë një foto të ndërtesës së shkatërruar, Klitschko tha se ambulancat kanë dërguar të plagosurit në spital dhe se një person është në gjendje kritike pasi një fragment rakete goditi ndërtesën e banimit, transmeton Fol Drejt.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se në ditën e parë të ndërhyrjes ushtarake ruse janë vrarë të paktën 137 persona, përfshirë 10 oficerë ushtarakë, si dhe 316 të tjerë janë plagosur.
Para pushimit rus të vendit, u lëshuan paralajmërime për një krizë masive refugjatësh.
Në një reagim para se presidenti rus, Vladimir Putin, të nisë ndërhyrjen ushtarake, sekretarja e përgjithshme e ‘Amnesty International’, Agnes Callamard, tha se është e frikshme të imagjinohet se çfarë përmasash mund të arrijë kriza e refugjatëve në rast të përshkallëzimit të armiqësive në Ukrainë.
“Do të jetë një fatkeqësi humanitare në mbarë kontinentin. Pas javësh përshkallëzimi, një pushtim i mundshëm rus do të çojë në pasojat më të tmerrshme për jetët njerëzore dhe të drejtat e njeriut”, tha Callamard.
Duke sfiduar kërcënimet e sanksioneve nga Perëndimi, Moska në fillim të kësaj jave njohu zyrtarisht si vende të pavarura rajonet e Ukrainës lindore, Donetsk dhe Luhansk, pas çka dje nisi një operacion ushtarak në Ukrainë.
Tensionet filluan të përshkallëzohen në fund të vitit të kaluar kur Ukraina, SHBA dhe aleatët e saj akuzuan Rusinë për grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave në kufirin me Ukrainën.
Ata theksuan se Rusia po përgatitej të pushtojë fqinjit e saj perëndimor, akuza që vazhdimisht u refuzuan nga Moska./FolDrejt/