Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte në Tropojë në një takim me fermerët.
Kreu i qeverisë shqiptare është shprehur se është e pamundur dhe jo e drejtë që t’i thuhet njerëzve “rrini këtu dhe mos ikni sepse këtu është atdheu”. Sipas tij, njeriu është në të drejtën e tij që të marrë vendimet për veten pasi tashmë nuk ‘jemi më në bunkerin e komunizmit’.
Ai tha se në Shqipëri kush do që t’ia krijojë vetes mund ta bëjë këtë. Sipas tij, në fshat mundësitë janë të pafundme sot. Këtu foli për agroturizmin si një mundësi për të ngritur një biznes.
“Më bëri shumë përshtypje një artikull i një gazetareje të famshme britanike që shkruante lidhur me këtë debatin e hapur në Britani pas ndërhyrjes time në atë debat dhe thoshte vetëm vendet diktatoriale, vënë në diskutim lirinë e njerëzve për të ikur apo për të ardhur. Shqiptarët sot, thoshte, po bëjnë atë që bota e ka bërë qysh në lindje të saj. Po bëjnë atë që ne kur kemi qenë më pak të pasur se sot e kemi bërë shumë më tepër se këta në një kohë tjetër. Po bëjnë atë që sot e bëjnë njerëz të këtij vendi, domethënë Britanisë që jetojnë nëpër zona të vështira, se ka edhe atje zona të vështira dhe vijnë në Londër. E solla këtu për të thënë që është e pamundur dhe nuk është e drejtë që i thuhet njerëzve rrini këtu dhe mos ikni sepse këtu është atdheu etj. Njerëzit janë në të drejtën e tyre të marrin vendimet e tyre sepse shyqyr Zotit nuk jemi më në bunkerin e komunizmit që na detyronte të rrinim brenda dhe s’na lejonte të hapnim as dritaren jo më të hidheshim nga dritarja”, u shpreh ai./FolDrejt/