Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, është në mesin e tre personave, ndaj të cilëve planifikohej atentat, sipas raportimit të mediumit shqiptar A2, përcjell Klankosova.tv.
Në dokumentin e siguruar nga Klankosova.tv, Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë së Kosovës tregonte se ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ish-deputetit të Kuvendit, Xhavit Haliti, dhe Ismet Haxhës, në vitin 2021, ishte planifikuar vrasja.
Haliti tha për Klankosova.tv se ka pasur paralajmërime nga policia.
Ai me këto situata ishte ballafaquar nga viti 1985.
“Unë kam pasur paralajmërime, më kanë lajmëruar edhe policia. U kanë një kohë kur më kanë ruajt, unë i kam këto të përhershme që nga viti 85, i kam kështu të rregullta,” tha Haliti.
Anëtari i PDK-së shtoi se në vitin 2021, edhe pse ka pasur informacione, s’ka pasur mbrojtje.
“Më kanë treguar që është diçka, por s’kam pasur mbrojtje. Ndoshta në distancë e s’e kam ditë,” shtoi ai.
Ish-nënkryetari i kuvendit theksoi se tre vjet më parë është ruajtur nga policia për gjashtë muaj.
“Rreth tre vjet më parë më kanë ruajt. Gjashtë muaj kam pasur mbrojtje të afërt të policisë, kudo që kam lëvizur, shtëpi, rrugë,” theksoi ish-nënkryetari i kuvendit.
Xhavit Haliti tha se nuk i di arsyet e mundshme për planifikimin e atentatit ndaj tij.
“Nuk e di, ata e dinë,” tha ai.