Chelsea aktualisht është skuadra e 11-të në Premier League dhe nuk ka fituar gjashtë ndeshje radhazi në të gjitha garat.
Trajneri Frank Lampard nuk ka arritur të zgjojë skuadrën pas largimit të Graham Potterit dhe ndërkohë klubi po punon për të sjellë një trajner për sezonin e ri. Sipas informacioneve të Fabrizio Romanos, ai pritet të jetë Mauricio Pochettino (51-vjeçar), i cili është i papunë që nga vera e vitit 2022.
Pochettino favoriti më i madh
Argjentinasi ka përvojë të gjerë në Premier League pasi ai drejtoi me sukses Southamptonin nga 2013 në 2014 dhe Tottenhamin nga 2014 në 2019. Romano shton se këtë javë do të hyjë në fazën finale të negociatave dhe se argjentinasi është favoriti i parë i drejtuesve të Chelseat.
Vincent Kompany, i cili fitoi bindshëm ngjitjen nga Championship në Premiership me Burnleyn, është gjithashtu kandidat. Luis Enrique dhe Julian Nagelsmann nuk janë kandidatë për trajnerin e ri të Chelseat, shton Romano, transmeton Fol Drejt.