Pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit (COVID-19) në zinxhirin e furnizimit vitin e kaluar, shitjet e armëve në mbarë botën u rritën për të shtatin vit radhazi.
Sipas raportit të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stockholm (SIPRI), shitjet e armëve dhe shërbimeve ushtarake të 100 kompanive më të mëdha në sektorin e mbrojtjes arritën në 592 miliardë dollarë në vitin 2021, që paraqet një rritje prej 1,9 për qind krahasuar me një vit më parë, duke shënuar rritje për të shtatin vit me radhë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Raporti thekson se edhe pse rritja ishte më e lartë se një vit më parë, ajo ende mbetet nën rritjen prej 3,7 për qind, që ishte mesatarja e katër viteve para COVID-19.
Në raport thuhet se problemet e zinxhirit të furnizimit vazhdojnë të pengojnë tregtinë e armëve në vitin 2021 dhe se këto probleme ka të ngjarë të përkeqësohen si rezultat i luftës Rusi-Ukrainë.
Sipas raportit, shitjet globale të armëve janë rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga të paktën viti 2015. Ndërkaq, SIPRI ka përfshirë kompanitë kineze në listën e saj vjetore për herë të parë.
Në raport thuhet se lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi në shkurt 2022, rriti problemet e zinxhirit të furnizimit për kompanitë botërore të armëve, dhe se Rusia është një furnizues i rëndësishëm i lëndëve të para të përdorura në prodhimin e armëve për vendet perëndimore.
“Po të mos ishin kufizimet e vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit, ne mund të prisnim rritje edhe më të madhe në shitjet e armëve në vitin 2021”, ka thënë Lucie Beraud-Sudreau, Drejtore e Programit të Shpenzimeve Ushtarake dhe Prodhimit të Armëve në SIPRI.
Duke vënë në dukje se kompanitë e mëdha dhe të vogla në sektorin e mbrojtjes raportuan pengesa në zinxhirin e furnizimit gjatë vitit të kaluar, Beraud-Sudreau ka deklaruar se disa kompani, si prodhuesi i avionëve Airbus, janë përballur me mungesë të fuqisë punëtore.
Kompanitë amerikane janë në krye të listës.
Vlen të përmendet se të pesë kompanitë në krye të listës që nga viti 2018 janë me bazë në SHBA, konkretisht: Lockheed Martin, Boeing, Northrop Grumman, Raytheon dhe General Dynamics.
Gjithsej 40 kompani amerikane në mesin e 100 kompanive më të mira në industrinë globale të mbrojtjes kanë shitur armë në vlerë 299 miliardë dollarë në vitin 2021, duke zënë 51 për qind të të gjitha shitjeve, që paraqet një rritje prej 0,8 për qind në terma realë krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërkaq, shitjet totale të tetë kompanive kineze të armëve në listë janë rritur me 6,3 për qind krahasuar me një vit më parë dhe kanë arritur në 109 miliardë dollarë. Katër nga prodhuesit kinezë janë renditur në top 10 në listë.
Ndër 100 kompanitë e para gjenden 27 kompani me seli në Evropë dhe shitjet totale të armëve të tyre janë rritur me 4,2 për qind në 123 miliardë dollarë.
Pas luftës Rusi-Ukrainë, shitjet e armëve të kompanive Rheinmetall, ThyssenKrupp, Hensoldt dhe Diehl në Gjermani, vend i cili filloi të blejë armë të reja pas luftës Rusi-Ukrainë, u rritën me 5,6 për qind krahasuar me një vit më parë dhe arritën në 9,3 miliardë dollarë.
Shitjet e gjashtë kompanive ruse në top 100 janë rritur me 0,4 për qind në vitin 2021, në 17,8 miliardë dollarë.
ASELSAN, e cila ka hyrë në listë vitin e kaluar, është renditur në vendin e 56-të, kurse Industritë e Hapësirës Ajrore Turke në vendin e 84-të.
Shitjet e dy kompanive janë rritur me 12 për qind në total, duke arritur në 3 miliardë e 360 milionë dollarë.
Që nga themelimi i tij në vitin 1966, SIPRI ka përgatitur kërkime, raporte dhe analiza në fusha si konfliktet, armatimi, kontrolli i armëve dhe çarmatimi./FolDrejt/