“Veprimet armiqësore” përfshijnë sanksionet ekonomike të vendosura për shkak të luftës ruso-ukrainase.
Qeveria ruse publikoi sot një listë të vendeve që “kryejnë veprime armiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve rusë”, shkruan AA.
“Veprimet armiqësore” përfshijnë sanksionet ekonomike të vendosura për shkak të luftës ruso-ukrainase.
Sipas një dekreti të publikuar në ueb-faqen e qeverisë, lista përfshin Shqipërinë, Andorrën, Australinë, Britaninë e Madhe, përfshirë Anguilan, Ishujt e Virgjër Britanikë, Gjibraltarin, vendet anëtare të BE-së, Islandën, Kanadanë, Lihtenshtajnin, Mikronezinë, Monakon, Zelandën e Re, Norvegjinë dhe Korenë e Jugut, San Marinon, Maqedoninë e Veriut, Singaporin, SHBA-në, Tajvanin, Ukrainën, Malin e Zi, Zvicrën dhe Japoninë, transmeton Fol Drejt.
Qeveria e Federatës Ruse u ka mundësuar qytetarëve dhe kompanive ruse, si dhe shtetit, rajoneve dhe bashkive që kanë detyrime në valuta të huaja, ndaj kreditorëve nga vendet në listën e vendeve armike që të paguajnë borxhet e tyre në rubla.
Për këtë, debitori mund t’i kërkojë bankës ruse të hapë një llogari të veçantë në rubla në emër të kreditorit të huaj dhe të paguajë ekuivalentin në rubla me kursin e këmbimit të bankës qendrore në ditën e pagesës.
Ky rregull është i përkohshëm dhe vlen për pagesat prej më shumë se 10 milionë rubla (rreth 72.202 dollarë).
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, i cili filloi më 24 shkurt, provokoi zemërimin e komunitetit ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Japonia dhe SHBA-ja vendosën sanksione ekonomike ndaj Moskës./FolDrejt/