Kampioni i Arabisë Saudite Al-Ittihad shiti më shumë se 56,000 bileta për prezantimin e Karim Benzema në King Abdullah Sports City në Jeddah, vetëm disa orë pasi transferimi u njoftua të mërkurën.
Sulmuesi francez dhe fituesi i Topit të Artë nënshkroi të martën një kontratë për tre sezone me klubin saudit. Biletat për prezantimin e ish-kapitenit të Real Madridit të enjten në stadiumin prej 62,000 vendesh, i njohur si “Xhevahiri i ndritshëm”, fillonin me vetëm nëntë rijalë (2.40 dollarë).
Një numër i madh i tifozëve me ngjyrat verdhezi të klubit i uruan mirëseardhjen Benzemës pas mbërritjes së tij në qytet të mërkurën në mbrëmje dhe ai pritet të mbajë një konferencë për shtyp të enjten para se të prezantohet te tifozët. Benzema (35-vjeçar) është nënshkrimi i parë i Al-Ittihad që nga fitimi i titullit të ligës dhe bashkëkombasi N’Golo Kante pritet t’i bashkohet së shpejti nga Chelsea.
Cristiano Ronaldo hapi rrugën për të tjerët në Ligën Pro Saudite duke nënshkruar një marrëveshje fitimprurëse me Al-Nassr në dhjetor. Klubet saudite po synojnë emra të tjerë të njohur në muajt e ardhshëm, si Sergio Busquets, Angelo Di Maria, Jordi Alba dhe Sergio Ramos.
Një burim i afërt me kapitenin e Argjentinës, Lionel Messi, i tha Reuters muajin e kaluar se ai kishte marrë një ofertë zyrtare për t’u bashkuar me Al-Hilal, por 35-vjeçari fitues i Kupës së Botës kishte vendosur të transferohej te Inter Miami në Shtetet e Bashkuara, transmeton Fol Drejt.