Lojtari i kombëtares franceze N’Golo Kanté ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin e Arabisë Saudite, Al-Ittihad.
“Mos dëgjoni lajme të rreme. Kante tani është një lojtar i Ittihadit,” postoi klubi i Jeddah në Twitter me një foto të lojtarit me një fanellë verdhezi, e ndjekur nga një video në të cilën Karim Benzema mirëpret bashkëlojtarin e tij kombëtar.
“Jam i lumtur që luaj përsëri me ju. Dhe në ekipin më të mirë të Arabisë Saudite”, tha fituesi i Topit të Artë të vitit 2022, i cili gjithashtu së fundi nënshkroi një kontratë trevjeçare me Al-Ittihad.
“Jam shumë i emocionuar që do të luaj për ‘Tigrat’ para tifozëve në Al-Jawha (Stadiumi Jeddah),” tha Kante.
Kante (32-vjeçar) nënshkroi një kontratë paraprake trevjeçare me Al-Ittihad në fillim të qershorit. Megjithatë, klubi saudit e kushtëzoi konfirmimin përfundimtar të ardhjes së tij me ekzaminime të shumta të detajuara mjekësore, pasi futbollisti francez pësoi lëndime të shumta këtë sezon.
“Kontrata u zyrtarizua më 20 qershor pasi Kante iu nënshtrua testeve mjekësore në Dubai”, njoftoi klubi saudit.
Kante luajti 53 ndeshje për kombëtaren franceze dhe luajti për Chelsean që nga viti 2016 kur erdhi nga Leicester, transmeton Fol Drejt.