Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës(SBAShK) thotë se nuk është koha të diskutohet për kompensim të orëve, por duhet të bëhet zgjidhje. Sipas tyre, deklarimet se duhet të kompensohen orët e humbura, kanë për qëllim presionin ndaj mësimdhënësve në mënyrë që të ndërpritet greva.
Nesër punëtorët e sektorit të arsimit hyjnë në javën e tretë të grevës. Ata po bojkotojnë mësimindhënien për shkak që kërkesa e tyre për rritje të koeficientit nuk ka gjetur zbatim.
SBAShK ka zgjedhur grevën si presion për një ligj që sipas tyre rrit barazinë në paga.
Ymer Ymeri, menaxher i financave në SBAShK, thotë për KosovaPress se grevën e ndalin vetëm nëse tërhiqet projektligji për pagat.
E kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ditët e fundit është deklaruar disa herë për grevën, ku ndër të tjera ka thënë se këto orë të humbura duhet të kompensohen pastaj.
Sipas Ymerit, deklarime të tilla kanë për qëllim të bëjnë presion tek mësimdhënësit që të ndërpresin grevën.
I pyetur se a do të kompensohen orët, Ymeri thotë se janë mësimdhënësit ata që thonë fjalën e fundit për këtë, por që nuk janë të obliguar ta bëjnë këtë.
Madje, sipas tij, nuk është koha të flitet për këtë.
SBAShK ka vendosur të vazhdojë me grevën dhe të presë seancën për projektligjin.
Sipas tyre, nëse votohet në këtë formë, ata do të vazhdojnë tutje me grevën dhe do të kërkojnë nga presidenti që mos të nënshkruaj ligjin.
Kujtojmë se sektori i arsimit ka filluar grevën më 14 janar. Një javë më vonë Qeveria ka dalë me një ofertë që të rrisë buxhetin për këtë sektor për 20 milionë euro në vit.
SBAShK nuk e pranoi ofertën dhe deklaroi se nuk kërkojnë rritje të pagës, por të koeficientit.
Nesër fillon java e tretë e grevës së përgjithshme në sektorin e arsimit.