Pas rastit tragjik që tronditi sot kryeqytetin e Kosovës, ku humbi jetën një mësimdhënëse 63-vjeçare, e cila u vra nga bashkëshorti i saj 70-vjeçar, ka reaguar edhe SBASHK.
Përmes një njoftimi të dërguar për media, SBASHK-u ka shprehur dhembjen e pikëllimin për rastin tragjik.
“Me plot dhembje e trishtim morëm lajmin për rastin tragjik në familjen Godeni. Dhembja shtohet për të gjithë punëtorët e arsimit ngase si pasojë e dhunës familjare, që ka nisur të bëhet përditshmëri, humbi jetën mësimdhënësja dhe anëtarja e devotshme e sindikatës sonë Sadije Godeni”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.
“Loti e dhembja jonë bëhet bashkë me dhembjen dhe lotin e punëtorëve arsimorë në shkollën “Dardania” në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. Të lutemi bashkë që ngjarje të tilla tragjike të mos ndodhin kurrë më”, thuhet tutje nga SBASHK-u.
Kujtojmë se 63-vjeçarja e vrarë punonte si mësimdhënëse e lëndës së Gjeografisë në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë.
Ajo humbi jetën sot, në orët e hershme të mëngjesit, teksa dyshohet se ishte bashkëshorti i saj ai i cili e vrau me sëpatë.
I njëjti u vetëdorëzua në polici, ndërkaq më pas u ndalua nga Prokuroria./FolDrejt/