(Përditësuar, ora 11:30) Në seancën e së hënës në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veslit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari i tetë (me kodin 04323) tha se në qendrën e ndalimit në Bajgorë, mbaheshin kolaboracionistë apo personat që bashkëpunonin me armikun.
Fillimisht ai tha se për këtë qendër kishin njohuri të gjithë qytetarët dhe se e njëjta kishte qenë temë e diskutimit në rrethanat në të cilat ndodheshin, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Për këtë, tha se e dinte që nga vera e vitit 1998, e cila ishte një qendër e ditur për publikun dhe se lokacioni i kësaj qendre kishte qenë i qasshëm prej rrugës kryesore.
Ai tha se për shqiptarët, kjo qendër ishte e njohur për personat që bashkëpunon me armikun apo kolaboracionistët dhe për njerëzit që kishin shfrytëzuar momente të këqija të qytetarëve duke bërë plaçkitje apo vjedhje.
‘‘Vetëm informacion në mënyrë të përgjithshme, si qytetar e kam ditë, ka qenë në dijeni për gjithë qytetarët, s’ka qenë informacion i rezervum për dikë të caktuar’’, u përgjigj i njëjti kur u pyet se çfarë dinte ai aso kohe për kolaboracionistët.
Lidhur me këtë problem, ai tha se ata rriteshin me ideologjinë se në asnjë rrethanë dhe asnjë mënyrë nuk duhet të bashkëpunohet me armikun.
I pyetur se kush konsiderohej si kolaboracionist, ai tha se ‘‘njerëzit që kanë punuar për njësinë e punëve të brendshme serbe, e njohur si SUP’’, dhe se tha se këtë e dinte në bazë të informacioneve të kishin qarkulluar atë kohë.
Në vazhdim ai tha se edhe gjatë trajnimit është diskutuar mes ushtarësh kjo temë por se nuk kanë pasur udhëzime specifike lidhur me atë se si të identifikohet një kolaboracionist.
Ai po ashtu tha se si udhëzim gjeneral, në momentin kur kanë ndier veten në rrezik apo kanë dyshuar në ndonjë person, është dashur të bëjnë identifikimin e tij, por nëse ata s’kanë arritur këtë atëherë sipas tij, kanë lajmëruar rastin në Policinë Ushtarake.
Ndërkaq, i pyetur se a e dinte se në qendrën e ndalimit në Bajgorë, mbaheshin të mbyllur civilë apo ushtarë, dëshmitari u përgjigj se ‘‘po, ka pas civilë’’.
Seanca po vazhdon në sesion privat.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari jep informacione për stërvitje të UÇK-së në Bajgorë
(Përditësuar, ora 11:10)-Dëshmitari i tetë (me kodin 04323) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, është përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së), lidhur me stërvitjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), në Bajgorë.
Dëshmitari tha se shkollën e fshatit të Bajgorës kishin zhvilluar stërvitjet, ku kishte qenë i përqendruar edhe shtabi, depo e monicionit dhe kuzhina ushtarake, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Ai tha se shkolla i takonte Zonës Operative (ZO) të Llapit, i cili tha se ka qenë zonë që ka operuar kryesisht në treva malore.
Tutje, ai tha se gjatë kësaj periudhe kanë fjetur në bazën ushtarake, në po të njëjtin vend ku edhe bën stërvitjet dhe se kishin qenë rreth 100-200 ushtarë.
Kur atij iu kërkua të përshkruante stërvitjet tha se ka qenë një rutinë e përditshme, ku çdo mëngjes ka qenë ngritja e flamurit, himni, dhe më pas stërvitja fizike.
Pastaj sipas tij ka qenë mëngjesi dhe më pas stërvitja me armë, nga më e thjeshta deri tek arma më e avancuar, po ashtu sqarime lidhur me përgatitje të bunkerit, apo montim të mine e gjëra të tjera.
Dëshmitari tha se në stërvitje ka pasur vazhdimisht informacione lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e një ushtari të UÇK-së.
Kurse kur u pyet nëse kishin udhëzime për identifikim të armikut, ai tha se ‘‘s’ka qenë e vështirë me u identifiku armiku, për neve ka qenë shumë i qartë, uniformat, mjetet që i ka pas armiku në dispozicion, do me thënë ka qenë shumë e lehtë për çdo njërin, jo vetëm për ushtar po edhe për qytetar me bo identifikim e policisë, ushtrisë apo njësive tjera jo të rregullta paramilitare që kanë qenë’’.
Në vazhdim, dëshmitari tha se pjesë ligjore nuk kishin arritur ta përfundonin për shkak të rrethanave të krijuara në atë kohë.
Po ashtu, ai tha se trajnimet udhëheqësin nga instruktorë por që kishin të veshur uniforma të llojeve të ndryshme, përveç emblemës e cila i identifikonte UÇK-në.
Më tej, ai tha se të njëjtëve iu janë prezantuar edhe komandantë të ndryshëm, por në veçanti iu kujtohet se iu është prezantuar komandant ‘Remi’, si komandant i ZO të Llapit.
Ndryshe, ai tha se stërvitjet dhe trajnimet e atij grupi ishin të parapara të mbaheshin të dy javë por që kishin zgjatur 5-7 ditë për shkak se kishte filluar një betejë në regjionin e Shalës, e cila kishte përfshirë Bajgorën dhe fshatrat përreth.
Ai po ashtu përmendi faktin se si ushtarë të rinjë bënin roje në lokacionin ku ishin së bashku me ushtarë të vjetër.
Dëshmitari i tetë fillon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Dëshmitari i tetë me kodin 04323 do të fillojë dëshminë e tij të hënën, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Paraprakisht, nga ana e trupit gjykues janë trajtuar tri çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith bëri të ditur se kanë vendosur që të ndryshojë urdhrin me gojë të 23 marsit me të cilin kishin pranuar një dokument në tërësinë e tij, duke e pranuar tani vetëm në pjesët përkatëse që do të përdor mbrojtja e Veselit.
Kjo është vendosur në bazë të parashtrimeve të mbrojtjes së Veselit, përmbushjes së kritereve të rregullës 154 dhe që nuk ka pasur kundërshtime nga palët.
Çështja e dytë kishte të bënte me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) për riklasifikim të disa dokumenteve.
Gjykatësi pyeti mbrojtjes dhe se askush nuk e kundërshtoi kërkesën për riklasifikim të ZPS-së.
Kurse, lidhur me çështjen e tretë e cila ishte mocioni i ZPS-së për të kufizuar praninë në sallën e gjyqit, trupi gjykues vendosi që mbrojtja të përgjigjet lidhur me këtë më së largu deri në fund të orarit të punës më 15 qershor dhe nëse ZPS ka kundër-përgjigje, këtë ta parashtrojë deri në fund të orarit më 16 qershor.
Seanca po vazhdon në sesion privat.
Ndryshe, në seancën e sotme të pranishëm në sallë të gjykimit janë të gjithë të akuzuarit.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.