Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme janë shtyllë e ekonomisë evropiane, të cilat sigurojnë 85 për qind të vendeve të reja të punës.
Kështu u tha në konferencën “BE promovon ndërmarrësinë dhe NVM-të: – Programi COSME”, organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se ministria që ai drejton është duke punuar që Kosovën ta bëjë një vend ideal për të bërë biznes, dhe për të rritur konkurrencën për t’u plasuar produktet në tregjet rajonale dhe evropiane.
Sipas tij, Programi COSME është një mundësi e mirë për t’i promovuar ndërmarrësinë dhe për ta përmirësuar ambientin afarist.
Libor Chlad, zëvendësshef për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, ka thënë se Komisioni Evropian synon të promovojë ndërmarrësinë dhe të përmirësojë mjedisin afarist për NVM-të, për t’u mundësuar atyre të realizojnë potencialin e tyre të plotë në ekonominë e sotme globale.
Ndërsa, Sotiraq Guga, ekspert i projektit të BE-së, ka thënë COSME është program i BE-së për konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve dhe NVM-ve, për periudhën 2014-2020, me një buxhet prej 2.3 miliardë euro.
COSME sipas tij, do të përkrahë NVM-të në lehtësimin e qasjes në financa, përkrahjen e ndërkombëtarizimit dhe qasje në tregje, krijimin e një mjedisi të favorshëm për konkurrueshmëri dhe inkurajimin e një kulture sipërmarrëse.
Ndërsa, Uranik Begu nga ICK ka thënë se mungesa e një vizioni për me qenë të konkurrueshëm, i bënë bizneset të pafavorshme dhe jo fitimprurëse. Sipas tij, duhet një vizion i qartë ekonomik që ofron përparësi konkurruese.