Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 40 vende të tjera, në një deklaratë të përbashkët që do të paraqitet sot në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shprehën shqetësim të thellë për ndalimin në Rusi të gazetarit të Wall Street Journal Evan Gershkovich dhe protestuan kundër kufizimit dhe frikësimit të Moskës ndaj mediave.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Federatës Ruse të lirojnë ata që i mbajnë për arsye politike dhe t’i japin fund shtypjes së lirisë së shprehjes, përfshirë kundër përfaqësuesve të medias”, thuhet në një deklaratë që do të lexohet para Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga ambasadorja amerikane në organizatën botërore, Linda Thomas-Greenfield, raporton Reuters.
Gazetari amerikan Gershkovich do të apelojë nesër kundër arrestimit dhe ndalimit të tij në një burg në Moskë me akuza për spiunazh të dyshuar, sipas dokumenteve të gjykatës, transmeton Fol Drejt.