Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, në një bisedë telefonike me presidentin e Nigerit, Mohammed Bazum, deklaroi se SHBA-ja mbështet qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike në Niger, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një njoftim me shkrim nga Departamenti i Shtetit thuhet se në bisedën telefonike u diskutuan zhvillimet në Niger.
Blinken tha se në përputhje me qëndrimin e Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS), Unionit Afrikan dhe partnerëve ndërkombëtarë, SHBA-ja mbështet rivendosjen e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike në Niger.
Ai theksoi rëndësinë e sigurisë së presidentit Bazoum dhe familjes së tij. “SHBA-ja është e vendosur për të gjetur zgjidhje paqësore që do të lejojë Nigerin të mbetet partner i fortë për sigurinë dhe zhvillimin në rajon”, tha Blinken.
Sekretari amerikan i përcolli Bazum-it “mbështetjen e tij të palëkundur” për demokracinë në Niger duke potencuar se SHBA-ja refuzon veprimet që synojnë prishjen e rendit kushtetues.