Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen njoftoi sot se SHBA do të vazhdojë bisedimet me Kinën për çështjet ekonomike “në kohën e duhur”, por në të njëjtën kohë ata po paralajmërojnë Pekinin për pasojat e shkeljes së sanksioneve amerikane ndaj Rusisë.
Në një konferencë shtypi përpara takimit ministror të G20 në Bangalore, Indi, Yellen tha se komunikimi midis SHBA dhe Kinës është “i rëndësishëm për mirëqenien e të gjithë botës”, sipas Reuters, përcjell Fol Drejt.
Agjencia kujton se disa angazhime midis Uashingtonit dhe Pekinit u pezulluan pas rrëzimit të një tullumbaceje të supozuar spiune kineze mbi SHBA dhe ky incident shtyu në mënyrë të pacaktuar vizitat e planifikuara më parë në Kinë nga Janet Yellen dhe Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken./FolDrejt/