Ministri ukrainas i mbrojtjes tha se vendi i tij mund të provokohet për shkak të tensionimit nga Rusia të gjendjes në zonën e konfliktit në rajonin lindor Donbass të Ukrainës.
Ministri, Andrii Taran, tha se akuzat ruse për shkelje të të drejtave të popullatës rusishtfolëse mund të jenë arsyeja për një rifillim të agresionit të armatosur kundër Ukrainës.
Lëvizjet ushtarake ruse kanë nxitur shqetësimet se Moska po përgatitet të dërgojë forca në Ukrainë. Kremlini mohon që trupat e tij përbëjnë kërcënim, por thotë se ato do të qëndrojnë aty për sa kohë që Rusia e gjykon të arsyeshme.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe homologët e tij francezë dhe gjermanë i bënë thirrje Rusisë të premten për të ndalur grumbullimin e trupave dhe riafirmuan mbështetjen e tyre për Kievin në përballjen e tij me Moskën.
Shtetet e Bashkuara po akuzojnë Rusinë për fshehjen e qëllimit të vërtetë të shtimit të pranisë ushtarake në kufirin me Ukrainën.
Zyrtarët amerikanë nuk pranuan të japin hollësi mbi numrin ose llojet e forcave ruse që ata kanë vëzhguar të grumbullohen pranë territorit ukrainas. Por ata i përshkruan veprimet e Moskës si provokuese dhe destabilizuese, duke hedhur poshtë pohimet se lëvizjet thjesht kanë patur lidhje me stërvitje ushtarake.
“Është një shtim i madh forcash… më i madhi që kemi parë që nga viti 2014,” tha ai, duke vënë në dukje se grumbullime të tilla të mëparshme të forcës ushtarake ruse nuk kanë përfunduar mirë për fqinjët e Moskës.
“Është një histori, një mënyrë operimi që e kemi parë nga rusët në shumë vende dhe sigurisht që jemi të vetëdijshëm për këtë histori,” tha zoti Kirby, duke iu referuar aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
“Kjo është një nga arsyet pse ne po e vëzhgojmë këtë me shumë, shumë kujdes,” tha ai.
Në Shtëpinë e Bardhë, sekretarja e shtypit Jen Psaki tha se SHBA po punojnë me partnerë dhe aleatët për të vlerësuar situatën dhe se çfarë mund të bëhet për të ulur tensionet.
Ndërkohë, zëvendës ministri i jashtëm i Rusisë u duk se ngriti shqetësime për njoftimet se SHBA po dërgon dy anije luftarake në Detin e Zi në një demonstrim mbështetjeje për Ukrainën.
Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes amerikane nuk pranuan të konfirmojnë deklaratën turke por thanë se operacione të tilla janë rutinë.
Këtë javë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i kërkoi NATO-s të lejojë vendin t’i bashkohet aleancës, për t’i dërguar Moskës një mesazh dhe për t’i dhënë fund luftimeve në rajonin e Donbasit, ku separatistët e mbështetur nga Rusia luftojnë me forcat ukrainase që nga prilli i vitit 2014. /VOA