Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski dhe ai i Shqipërisë Edi Rama, të cilët po vizitojnë Shkupin, kanë mbajtur sot një takim të delegacionit të dy qeverive në të cilin zyrtarët maqedonas theksuan se “si fqinjë të afërt të Kosovës dhe Serbisë” bëjnë thirrje për depërshkallëzimin e situatës dhe zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare nga të dyja palët.
Ata kërkuan zbatimin e marrëveshjes që Beogradi dhe Prishtina e arritën më 27 shkurt në Bruksel, e veçanërisht marrëveshjen e arritur në Ohër, transmeton televizioni maqedonas Sitel.
Në takim u theksua se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një punë serioze përpara sepse ka ardhur koha kur do të duhet të tregojnë arritje thelbësore në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve, efikasitetit dhe konkurrencës së ekonomisë dhe rajonit. Një tërësi, e cila do të çojë në përshpejtimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik rajonal, thuhet në shërbimin për shtyp të qeverisë maqedonase./FolDrejt/