Dy raste të falsifikimit janë raportuar të kenë ndodhur me datën 23 dhjetor në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, transmeton Fol Drejt.
Këto dy raste, të cilat kanë ndodhur në kohë të ndryshme, 09:30 dhe 23:50, përfshijnë një shtetas ganez dhe një shtetase kosovare.
Për rastin e shtetasit ganez, në raportin 24 orësh bëhet e ditur se i dyshuari mashkull shtetas Ganez, në arritje ka prezantuar dokument ID kartë belge që dyshohet të jetë e falsifikuar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe me vendim të tij i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, për shtetasen kosovare, thuhet se e dyshuara femër kosovare, në shkuarje ka prezantuar pasaportën kroate e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe me vendim të tij dokumenti është konfiskuar ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt./FolDrejt/