Me fazën e dytë të lehtësimit të masave ka filluar edhe qarkullimi i autobusëve të “Trafikut Urban” në Prishtinë. Por, kjo po bëhet me masa të shtuara për shkak të ndalimit të përhapjes së virusit COVID-19. Kryeshefi Ekzekutiv i “Trafikut Urban”, Lulzim Rexhepi, në një lidhje direkte për Express ka treguar se si do të funksionojnë linjat e autobusëve në kryeqytet
“Nga sot kemi filluar me shërbim të transportit urban në komunën e Prishtinës, por qytetarët duhet të respektojnë vendimet e institucioneve për kufizim të lëvizjes dhe masat tjera që janë në fuqi. Numri i udhëtarëve është i kufizuar në 20 udhëtarë, brenda autobusëve janë të vendosur shiritët, në cilat ulëse lejohen udhëtarët e në cilat jo, kjo për t’u mbojtur shëndeti i udhëtarëve por edhe shoferëve të autobusëve”, ka treguar Rexhepaj.
Ai shtoi se orari i autobusëve është ashtu siç ka qenë edhe më herët.
Po ashtu Rexhepaj theksoi se përdorimi i maskave dhe dorëzave, e po ashtu respektimi i distancës është i detyrueshëm.
“Ne nuk mund të luajmë rolin e policisë, por qytetarët duhet t’i respektojnë masat. Ne ofrojmë shërbim të transportit publik, por qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për masat të cilat janë në fuqi”, shtoi Rexhepaj.