Miratohet udhëzimi që i hap rrugë pagesës së policave sipas sjelljes së drejtuesve në rrugë. Kush gjendet fajtor për aksidentet paguan më shumë. Kompanitë e sigurimit krijojnë regjistrin e mjeteve
Siguracionet e makinave tashmë do të jenë sipas sistemit Bonus-Malus, ku vlera e pagesës nga drejtuesit e mjeteve do të llogaritet në bazë të numrit të aksidenteve dhe vjetërsisë së shoferit. Sistemi i ri do të bëjë që të paguhet më pak për drejtuesit e mjeteve që kanë vjetërsi më të madhe dhe numër më të vogël aksidentesh dhe më shumë për shoferët e rinj, apo drejtuesit që kanë të regjistruar numër të madh të aksidenteve rrugore. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar në mbledhjen e të mërkurës një udhëzim për të vendosur këtë sistem, i cili i detyron kompanitë e sigurimeve që të krijojnë një regjistër të dhënash historike për çdo drejtues mjeti, e në bazë të këtij sistemi do të llogaritet edhe vlera e primit të detyrueshëm që do të paguhet nga drejtuesit e mjeteve. Udhëzimi do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, ndërsa kompanitë do të nisin që përgjatë kësaj periudhe të shënojnë historikun e dëmeve që do të krijojnë drejtuesit. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare propozoi implementimin e këtij sistemi përmes një projektligji që daton në Maj të vitit të shkuar, i cili ende nuk është propozuar nga Ministria e Financave për t’u shqyrtuar në Kuvend. Deri në miratimin e ligjit e të ri, në fuqi do të jetë udhëzimi i Bordit të këtij Autoriteti, i cili do të përcaktojë çmimet e siguracioneve sipas modelit ndërkombëtar dhe jo siç bëhet aktualisht, ku çmimi është i njëjtë për të gjithë.
Ligji
Me hyrjen në fuqi të ligjit, të gjithë drejtuesit e makinave do të klasifikohen në një klasë të barabartë, apo e thënë ndryshe, do të zerohen të gjitha aksidentet apo dëmet e shkaktuara para hyrjes në fuqi të ligjit. Më pas, sistemi do të trajtojë ecurinë e drejtuesve, ku në rast se kryen aksident, do të rritet klasa, çka automatikisht sjell rritje të çmimit të siguracionit. Në rast se gjatë një viti drejtuesi i automjetet nuk ka shkaktuar dëme apo aksidente, klasa ku do të pozicionohet do të ulet, e shoqëruar dhe me ulje çmimi. “Në tërësinë e sistemit Bonus-Malus ka dy elemente, janë ata që përfitojnë në bonus dhe ata që goditen në Malus. Në rast se do të marrim një çmim prej 15 mijë lekësh, nga Bonusi do t’u zbriten deri në 14 mijë lekë, në 13 mijë apo në 12 mijë lekë. Por ka edhe nga ata që Malusi nga 15 mijë lekë do t’ua çojnë 16 mijë lekë apo 17 mijë lekë. Ne si Autoritet i Mbikëqyrjes Financiare jemi gati të zbatojmë sistemin, por duhet marrë në konsideratë i gjithë tregu, jo vetëm pjesa pozitive që do të ulet primi, por edhe rritja e primit për ata që nuk janë korrektë”, shpjegoi drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes Financiare. Për sa i përket çmimit të sigurimit të makinave, tarifat janë rikthyer në nivelet e muajit gusht, ku shënuan një rritje prej 20 për qind. Aktualisht, çmimi i sigurimit të makinave është 18 000 lekë. Nisur nga kjo situatë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e sheh si të domosdoshëm për tregun miratimin e ligjit dhe zbatimin e sistemit të ri.
Çmimi
Aktualisht çmimi i sigurimit të makinave, i detyrueshëm me ligj, është fiks. Pra, në rast se do të sigurosh automjetin, çmimi që ofrojnë kompanitë është përgjithësisht i njëjtë. Ai ndryshon vetëm nga cilindrata e makinës. Në draftin e ri parashikohet që çmimi të ndryshojë sipas sjelljes së shoferëve, ose siç njihet ndryshe, sistemi “Bonus-Malus”. AMF parashikon që shoferët të ndahen në 18 kategori të ndryshme. Për çdo kategori është vendosur edhe një koeficient. Ky koeficient është më i lartë për ata shoferë që bëjnë aksidente dhe më i ulët për ata që nuk bëjnë të tilla. Në këtë mënyrë ndryshon edhe çmimi i siguracionit. Në draft parashikohet që një shofer i ri dhe përgjithësisht të gjithë shoferët, pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të hyjnë në klasën e 13-të. “Klasa hyrëse do të jetë ‘13’ për vitin e parë të zbatimit të sistemit ‘Bonus-Malus’, e cila do të aplikohet mbi primin e rrezikut me koeficient me vlerë të barabartë me 1″. Për klasat nga 1 në 12 “Ulja e klasës së riskut me një klasë në rastet e të siguruarit që nuk shkakton asnjë aksident gjatë vitit të kontratës. Rritjen e klasës së riskut me 2 klasë nëse i siguruari bën dëm gjatë vitit të kontratës dhe 5 klasë nëse bën dy dëme”. Gazeta boton edhe tabelën e koeficienteve sipas çdo klase. Për klasën e parë, koeficienti është 0.5, ndërsa për klasën e 18-të shkon në 2.
Sjellja
Duke iu referuar çmimit të sigurimit të një makine, që sot është 18 mijë lekë në vit, bëhet edhe llogaritja në bazë të tij. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, ai do të llogaritet sipas historisë së aksidenteve të shoferëve nëpërmjet formulës së mësipërme. Kështu, në rast se një shofer nuk ka bërë asnjë aksident nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit, ai klasifikohet në klasën e 13të, që i përket koeficienti 1. Pra, siguracioni i tij do të jetë 18 mijë lekë (18 000 x 1). Në rast se një shofer ka bërë aksident, ai do të rritet në klasë. Pra, në këtë rast shkon në klasën 15. Rrjedhimisht edhe çmimi i siguracionit rritet. Klasa e 15-të ka një koeficient 1.3. Shoferi do të duhet të sigurohet jo më për 18 mijë lekë, por për 23.400 lekë (18.000 x 1.3). Pra, 5400 lekë më shtrenjtë. Në rast se një shofer nuk bën asnjë aksident gjatë një viti, atëherë ai ulet një shkallë, dhe nga klasa 13 shkon në klasën 12. Koeficienti i klasës 12 është 0.94. Në këtë rast, çmimi i siguracionit do të jetë 16.920 lekë.