Serbia në Ukrainë nuk ka dërguar vetëm vullnetarë paramilitarë për të luftuar në krahë të separatistëve prorusë. Kreu i Lëvizjes Çetnike të Serbisë Bratislav Zivkovic ka nisur tashmë pretendimet e çmendura serbe se në Ukrainë ka territore që i takojnë Serbisë.
Në një tubim në Lugansk të Ukrainës, territor i okupuar nga rusët, çetniku serb foli për rëndësinë që ka për Serbinë Donjecku dhe Luganski.
“Serbët janë me rusët në Ukrainë si luftëtarë sepse kjo është tokë e vjetër serbe. Paraardhësit tanë kanë themeluar këtu dy republika serbe. Këtu jetojnë bashkatdhetarët tanë dhe pasardhësit tanë”, ka thënë çetniku Zivkovic.
Zivkovici ka treguar edhe në hartë se cilat janë ato vende, për të cilat thotë se i kanë themeluar serbët në Ukrainë. Novomirohod që gjendet në rrethin e Kirovohradit dhe Slovianserbsku që gjendet në rrethin e Luganskit.
Serbët në Ukrainë janë nga të parët vullnetarë që iu dolën në ndihmë separatistëve të Putinit. Grupe të mëdha serbësh iu bashkëngjitën që nga viti 2014 formacioneve paramilitare shoviniste ruse. Edhe një nga grupet më aktive paramilitare proruse si “Vagner” ka shumë serbë.
Në kuadër të ekspeditave serbe në territoret e okupuara rusë në Ukrainë kanë marrë pjesë gazetarë, politikanë e luftëtarë serbë.
Kreu i Lëvizjes Çetnike Bratislav Zivkovic, nuk ka pasur konsekuenca ligjore në Serbi për shkak të aktivitetit të tij paramilitar. Ai është parë edhe në Republikën e Kosovës duke zhvilluar veprimtari të paligjshme e armiqësore.
Në profilin e tij në facebook, me krenari bart në duar tabelën e KFOR-it të cilën e ka dëmtuar, e ku shkruhet “Ju po e lini Kosovën”.