Sot janë bërë 25 vjet që nga rënia heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, e bashkë me të edhe e 54 anëtarëve të tjerë të familjes së tij.
Pas sulmit të parë që forcat serbe e kryen më 30 dhjetor të vitit 1991, sulmit të dytë në muajin janar të vitit 1998, më datat 5, 6 dhe 7 Mars 1998 u krye edhe sulmi i tretë, që kushtoi me rënien e lavdishme e heroike të gjithsej 55 anëtarëve të kësaj familje e pjesëtarëve të fshatit Prekaz të komunës së Skenderajt.
Këtij sulmi arritën t’i shpëtonin vetëm Bashkimi, i biri i Rifatit, i cili mundi të largohej nga rrethina në kohën kur po kryheshin sulmet nga forcat serbe dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ende në kujtimet e saj tregon tmerret e këtyre ditëve.
Si në vitet e tjera, edhe këtë vit, për nder të kësaj ngjarje, në këto tri data, do të zhvillohet manifestimi “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, me ç’rast do të zhvillohen homazhe, do të mbahet seancë solemne dhe me 7 Mars, do të zhvillohet edhe nata e zjarreve ne Prekaz, shoqëruar me koncert në Skenderaj./FolDrejt/