Në një spital në Barcelonë, transplantimi i mushkërive po kryhet duke përdorur një teknikë me një robot dhe një rrugë të re aksesi që nuk kërkon më heqjen e brinjës dhe hapjen e gjoksit, njoftuan sot ekspertët e asaj klinike.
Kirurgët në Spitalin Universitar Val d’Hebron në Barcelonë përdorën një robot me katër krahë të quajtur Da Vinci për të prerë një pjesë të vogël të lëkurës, indeve dhe muskujve të pacientit për të hequr mushkërinë e dëmtuar dhe për të futur një të re përmes një prerjeje tetë centimetrash në pjesën e poshtme të sternumit, pak mbi diafragmë, raporton Reuters.
Procedura e re është më pak e dhimbshme për pacientin, sepse plaga mbyllet lehtësisht në krahasim me metodën tradicionale që kërkon një prerje prej 30 centimetrash dhe një periudhë shumë delikate pas operacionit, thanë ekspertët mjekësorë, transmeton Fol Drejt.