Është e rëndësishme të zvogëlohen tensionet në Kosovë dhe kjo është detyrë dhe përgjegjësi e të dyja palëve dhe për këtë arsye NATO po vazhdon përpjekjet e saj në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për uljen e tensioneve, tha sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Sigurisht, ne mbetemi të përkushtuar ndaj mandatit të OKB-së. Ne kemi shtuar edhe praninë tonë, njësitë e KFOR-it në Kosovë, si reflektim i tensioneve të shtuara që kemi parë javët e fundit. Ajo që NATO po bën në Kosovë është e paanshme, bazuar në mandatin e OKB-së dhe prania jonë atje është për të siguruar lëvizjen e lirë të njerëzve të të gjitha komuniteteve”, tha Stoltenberg.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatovic, ai u bëri thirrje të dyja palëve që të “angazhohen në dialog” dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të përshkallëzojnë më tej situatën në Kosovë, përcjell Fol Drejt.