Omar Imeri, mesfushori i talentuar i përfaqësueses Shpresa të Shqipërisë që luan me Shkëndijën e Tetovës është shumë pranë transferimit në kampionatin turk.
Emri i tij është përfolur shpesh si një përforcim i mundshëm i Fenerbahce, por mediat në Maqedoninë e Veriut zbulojnë se së fundmi në skenë për të marrë shërbimet e kuqeziut është futur fuqishëm klubi i Antalyaspor që ka ofruar 200 mijë euro për kartonin e Imerit, ofertë që është pranuar nga drejtuesit e Shkëndijës.
Një shifër deri diku e kënaqshme për klubin tetovar edhe pse Shkëndija pretendonte të përfitonte më tepër nga shitja e Imerit.
Ndërkohë porsa i përket merkatos në hyrje së fundmi për kuqezinjtë tetovarë ka dalë në skenë një emër i ri ai i Suad Sahitit, i cili ka mbyllur kontratën me Wisla Plock në Poloni dhe mund të rikthehet në Maqedoninë e Veriut, aty ku ka spikatur me fanellën e Rabotnickit përpara se të transferohej te Skënderbeu.