Hajrullah Çeku, ministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjatë mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar, tha se manastiri i Banjskës është duke u vlerësuar për dëmet e pësuara gjatë sulmit terrorist në fundjavë, në mënyrë që të ndërhyhet më pas, shkruan Fol Drejt.
Çeku fillimisht ka dënuar sulmin terrorist që ndodhi të dielën e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit.
“Sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti i Serbisë, përveç që ja mori jetën një polici të devotshëm të Kosovës, kishte dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm atë të përdorimit të një aseti të trashëgimisë kulturore dhe fetare për qëllime kriminale”, ka thënë Çeku.
Sipas tij Manastiri i Banjskës është ndërtuar në shekullin 14 mbi rrënojat e një kishe të vjetër të hershme palo-kristiane dhe se deri vonë “supozohej që në atë lokacion gjendej dhe një vendbanim antik romak pasi që aty janë gjetur mbishkrime epigrafike të periudhës romake”, tha ministri.
Çeku theksoi se terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri, të cilat, sipas tij, nuk kanë qenë të paqëllimshme.
Ai ka thënë se do t’u bëhet një vlerësim këtyre dëmeve nga ekipe ekspertësh, e pas kësaj “do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për ndërhyrje profesionale me qëllim sanimin e dëmeve në strukturën fizike të këtij manastiri.”/FolDrejt/