Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se këto ditë ka vazhduar konsultat e fundit me partnerët ndërkombëtarë për konferencën e nesërme në Berlin, të ftuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron.
Sipas tij, në takim theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor.
“E mirëpres rritjen e angazhimit të Gjermanisë dhe Francës rreth Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, si dhe Kosovës në veçanti. Në këtë takim do të vlerësohet progresi substancial i deritashëm. Takimi i Berlinit nuk do të sjellë një proces të ri, por do të kërkohen mundësi për zgjidhjen e problemeve, duke marrë shembull marrëveshjen e suksesshme ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë. Po ashtu, pres nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të tregojnë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si respektim i kontratës ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe e meriton lëvizjen e lirë si të gjithë qytetarët tjerë të rajonit dhe kontinentit. Nëse diçka e tillë nuk ndodh, takimi i Berlinit do të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës ka shkruar presidenti Thaçi.
Ai ka shtuar se në këtë takim do të kërkoj edhe dënimin e gjenocidit të shtetit të Serbisë në Kosovë, në vitet 1998-1999.
“Ne do të fokusohemi edhe në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe në forcimin e rendit dhe ligjit, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të konfirmojmë edhe përkushtimin tonë për të vazhduar – pa kompromis – luftën kundër radikalizmit, terrorizmit dhe çdo lloj ekstremizmi”, ka shkruar ai.