Guvernatori i qytetit Antalya në Türkiye (Turqi), Ersin Yazıcı tha se me uljen dhe ngritjen e 1.003 avionëve brenda një dite në aeroportin e Antalya-s është thyer një rekord dhe se kanë pritur 81.104 turistë të huaj.
Yazıcı mori pjesë në një program në zonën e komplekseve Kundu ndërsa në një deklaratë për gazetarët vuri në dukje se po vazhdon një sezon i mirë në turizëm, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai tha se janë të lumtur që presin turistë nga vende të ndryshme.
“Po kalojmë një sezon që vazhdon me rekorde. Jemi të lumtur, të kënaqur dhe shpresojmë se do të jetë edhe më mirë. Para dy ditësh numri i turistëve të ardhur në Antalya ishte mbi 4 milionë. Të shtunën kemi thyer një rekord. Nga aeroporti i Antalya-s u ngritën dhe u ulën 1.003 avionë, ku mbërritën 81.104 turistë të huaj. Pas aeroportit të Stambollit jemi aeroporti me më shumë intensitet. Me të vërtetë është një rekord i madh. Në ajër janë shumë avionë që presin radhën. Ky është lajm i mirë për qytetin tonë”, tha Yazıcı.
Më tej Yazıcı potencoi se në aeroport ofrohet një shërbim i suksesshëm dhe se ka zhvillime të bukura në emër të turizmit.
Guvernatori i Antalya-s tha se janë në pritje të më shumë turistëve gjatë sezonit. “Besojmë në mënyrë kategorike se do të kalojmë shifrat e vitit të kaluar. Mundësia është pak e ulët që të arrijmë shifrat e vitit 2019, por shifrat e vitit të kaluar do t’i kalojmë. Kështu janë pritshmëritë”, tha Yazıcı./FolDrejt/