Gazetari dhe shkrimtari Imer Topanica, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës. Më saktë, pasi Projekt-Kodi i ri Civil, nuk mori votat e mjaftueshme për të kaluar në lexim të parë, transmeton Fol Drejt.
Ai shkroi se, edhe po të ishte vetë, do ta votonte KUNDËR, ndërsa i komentoi disa prej fjalimeve të disa deputetëve.
“Vetë kryeministri u përpoq që të na mbante leksione se janë pikërisht konservatorët në perëndim ata që iu kanë dhënë përkrahje këtyre ndryshimeve, sepse, sipas tij, ata janë pro familjes. Merreni me mend, Kryeministri e percepton Perëndimin si shoqëri kulturalisht homogjene!” –
shkroi Topanica, duke iu referuar një replike të Kryeministrit Albin Kurti.
Ky është postimi i tij i plotë:
Duke qenë se shumica e emigrantëve shqiptarë, sot ia mësyjnë Perëndimit, sipas një deputeti, kjo, qoftë edhe tërthorazi, nënkupton që ata pajtohen me sistemin e vlerave që promovohet atje (duke i përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me organizimin e familjes). Me gjasë, kishte pritur që ata të ia mësyjnë Irakut, Afganistanit apo Sirisë (kuptohet, ata nuk janë budallenj, thjesht, kërkojnë një perspektivë tjetër – sidomos ekonomike!)… Dhe këtë e mori si premisë për ta mbështetur qëndrimin se: shoqëria nuk është aq intolerante karshi çështjes së martesave të gjinisë së njëjtë, të paktën jo aq sa trumbetohet në opinion publik.
Një tjetër tha që Perëndimi e ka mbyllur këtë kapitull, duke “u ankuar” që jemi vonuar në këtë aspekt, pa çka që Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Estonia, Greqia, Hungaria, Italia e Sllovenia, po ashtu, nuk e kanë përmbushur “këtë standard”. Përkundrazi, kjo do të thotë se debati për këtë çështje nuk është mbyllur dhe s’ka si të mbyllet, sidomos në Perëndim (debati është identitet i këtij civilizimi).
Mbështetësit e ndryshimeve që i parashihte Projekt-kodi Civil, thanë edhe që avancimi i të drejtave të komunitetit LGBTI+ ka bazë kushtetuese, por bazë kushtetuese kishin edhe ata që i kundërshtonin këto ndryshime. Të manifestosh qëndrim konservator karshi një çështjeje si kjo, nuk është as anti-kushtetuese, e as anti-demokratike! Bile të kërkosh nga konservatorët që të ta përmbushin një akt të tillë (të votojnë PRO), është budallallëk!
Tjetër, vetë kryeministri u përpoq që të na mbante leksione se janë pikërisht konservatorët në perëndim ata që iu kanë dhënë përkrahje këtyre ndryshimeve, sepse, sipas tij, ata janë pro familjes. Merreni me mend, Kryeministri e percepton Perëndimin si shoqëri kulturalisht homogjene! Pra, problemi është që, një konservator irlandez, një italian, dhe një amerikan i bardhë apoli një afro-amerikan, mund të kenë pikëpamje diametralisht të kundërta. Kaq dimë edhe ne!
Nejse, personalisht mendoj se faktorë shkatërrues më të mëdhenj të familjes janë sistemi i dobët arsimor, llapërçinat e përçudnimet e shumta që iu ofrohen si “ushqim” për nxënien e dijeve fëmijëve tanë, pastaj krizat e vazhdueshme ekonomike, emigrimi dhe ndryshimet demografike, se sa këto ndryshime që parashiheshin me këtë Projekt-Kod Civil, për të cilat edhe unë do të votoja kundër!/FolDrejt/