Sipas policisë, treni ka përplasur një furgon në jug të Hungarisë dhe ka dalë nga shinat, duke lënë disa të vdekur dhe të plagosur.
Një tren doli nga shinat pasi goditi një furgon në jug të Hungarisë sot herët, duke lënë disa të vdekur dhe të plagosur, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Aksidenti ka ndodhur pak para orës 7 të mëngjesit të sotëm në qytetin Mindszent. Policia tha se një furgon ndodhej mbi shinat e trenit kur u përplas nga një tren, i cili doli nga shinat nga forca e përplasjes.
Në një deklaratë, Hekurudhat shtetërore hungareze bënë të ditur se të gjithë viktimat ishin nga furgoni, duke shtuar se 22 persona ndodheshin në tren në momentin e përplasjes. Dy persona u plagosën rëndë dhe 8 të tjerë pësuan lëndime të lehta.
Sipas raporteve të pakonfirmuara nga faqja lokale e lajmeve “delmagyar.hu” 7 persona kanë humbur jetën.
Policia e qarkut Csongrad-Csanad tha se kishte mbyllur të gjithë rrugën gjatë inspektimit dhe shpëtimit në vend. Trafiku u devijua në rrugët përreth./FolDrejt/