Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ai është i vetmi kandidat presidencial për zgjedhjet e 2024-ës që mund të premtojë se do të parandalojë luftën e tretë botërore, i aftë për të shpëtuar SHBA-në nga demokratët “me mendje lufte”.
Në një mbledhje të madhe vjetore të konservatorëve në Uashington, Trump tha se amerikanët janë në mes të “një lufte epike për të shpëtuar vendin nga njerëzit që e urrejnë atë”.
Donald Trump, i cili zyrtarizoi kandidaturën e tij në nëntor, foli për gati një orë e 40 minuta, duke mos kursyer askënd, përfshirë edhe kampin e tij.
“Ne kemi pasur një Parti Republikane të drejtuar nga përbindësha, neokonët, globalistët, fanatikë të kufijve të hapur dhe budallenj”, tha Trump.
Ai shtoi se votuesit amerikanë janë të lodhur nga “dinastitë politike dypartiake, interesat e kalbura, politikanët e dashuruar me Kinën” dhe mbështetësit e “luftërave të pafundme jashtë vendit”.
“Ne do të kemi Luftën e Tretë Botërore nëse diçka nuk ndodh së shpejti,” paralajmëroi Trump, i cili ka qenë i hapur kundër ndihmës së SHBA për Ukrainën.
“Unë jam i vetmi kandidat që mund të bëjë këtë premtim: Unë do të parandaloj luftën e tretë botërore”, tha ish-presidenti, i cili u mund në zgjedhjet e vitit 2020 nga presidenti demokrat Joseph Biden./FolDrejt/