Mbyllja e bizneseve dhe kufijve në Kosovë gjatë muajve të kaluar për shkak të pandemisë Covid-19, turizmit vendor dhe kompanive turistike në vend u ka shkaktuar shumë dëme. Pronarët e disa prej kompanive të dëmtuara, thanë për Radio Kosovën se kanë pësuar humbje milionëshe, derisa sipas tyre, interesimi i qytetarëve për pushime është shumë i vogël. Vetë qytetarët e anketuar shprehen mendime të ndryshme për sa i përket pushimeve verore këtë vit.
Ndër sektorët më të dëmtuar sivjet gjatë pandemisë Covid-19 në Kosovë është ai i turizmit.
Përfaqësues të kompanive turistike në vend kanë thënë se janë dëmtuar shumë për shkak të mbylljes së turizmit, derisa sipas tyre, edhe pas lirimit të masave, interesimi i qytetarëve për një gjë të tillë është minimal.
Ruzhdi Kurtishaj, nga Agjencia turistike “Sharr Travell”, tha për Radio Kosovën se humbjet e kompanisë së tij kapin shifrën e 1 milion eurove. Ndërsa shtoi se edhe gjatë këtij viti kërkesat për pushime janë për det dhe jo për turizëm malor.
“Fillimi ka qenë pak më i vështirë, sepse ne e patëm një vendim nga ish qeveria, që na la pasoja të mëdha në kuptimin e të bërit biznes por edhe të lëvizjes ë qytetarëve, por tashmë ka filluar të normalizohet situata dhe nuk ka as pritje të gjata në kufi. Presim pjesën e dytë të qershorit dhe korrikun – gushtin. Pandemia ka bërë dëme të mjaftueshme deri tash dhe mendoj se pasojat e saj do të barten edhe në vitin 2021.”
Edhe Armend Alaj, nga Agjencia turistike “Mendi”, tha për Radio Kosovën se interesimi i qytetarëve është shumë i vogël, pasi sipas tij, ende po hezitojnë të rezervojnë pushimet në bregdet.
“Neve si kompani na ka dëmtua mjaft, sepse që nga muaji prill kemi pas grupe të kontraktuara për bregdet, siç janë maturantët, e grupe të ndryshme, të gjitha ato janë anuluar, janë ndërpre. Me shoferë nuk e kemi kalkuluar, por dëmet janë shuam të mëdha tek unë dhe kolegët e tjerë”.
Edhe qytetarët e anketuar kanë mendime të ndryshme për sa i përket pushimeve verore sivjet.
Ismajl Hamiti nga Prishtina tha se nuk ka vendosur ende se ku do të pushojë, por shpreson se do të shkojë së paku në bregdetin e Shqipërisë.
“Ma konkret diçka jo, por me siguri diku po, por nuk e kam vendosur ku, ma para se Shqipëri jo. Bregdet para se gjithave. Ma konkretisht s’kam caktuar se ku do të shkoj, pandemia. Të shohim, kemi kohë edhe 1 muaj.’
Kurse, Islam Visoka thotë se e pëlqen turizmin malor dhe nëse do të ketë mundësi do të vizitojë ndonjë vend turistik malor.
“Kam dëshirë t’i vizitoj disa vende që nuk i shkel kerri, që duhet të shkosh në këmbë, siç është Thethi. I kam vizituar por kam dëshirë prapë të shkoj. A në këtë kohë nuk mendoj që është koha për pushime, për gjendjen në të cilën ndodhemi, kjo është në gjithë botën, kjo ishte e paparashikueshme, njerëzit prapë shpresojnë që mund të vijë te përmirësimi por unë nuk mendoj kurrë që do të vijë ashtu siç ishte”.
Më herët, kryetari i Lezhës, Pjerin Ndreu, gjatë një vizite në Kosovë, tha se bregdeti i këtij qyteti dhe e gjithë hapësira turistike është përgatitur, duke i kushtuar kujdes të veçantë pastërtisë dhe mirëpret turistët nga Kosova.