Turqia dhe Britania kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime për një marrëveshje të re dhe të modernizuar të tregtisë së lirë (MTL), njoftoi sot qeveria britanike, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Marrëveshja ekzistuese, të cilën të dy vendet e nënshkruan pasi Britania u largua nga BE-ja, nuk mbulon fusha kyç si shërbimet, atë digjitale dhe të dhënat, zbuloi Departamenti i Mbretërisë së Bashkuar për Biznesin dhe Tregtinë.
Ai shtoi se marrëveshja e re pritej të rrisë tregtinë dypalëshe dhe të ndihmojë firmat britanike të maksimizojnë mundësitë.
Njoftimi erdhi pas telefonatave midis sekretares të Biznesit dhe Tregtisë të Britanisë Kemi Badenoch dhe ministrit turk të Tregtisë Omer Bolat javën e kaluar.
Komiteti i Përbashkët Britani-Turqi do të mblidhet në kryeqytetin turk Ankara më vonë gjatë ditës së sotme për të diskutuar këtë çështje.
Badenoch tha në një deklaratë se Türkiye është partner i rëndësishëm tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.
Turqia paraqet “mundësi të mëdha për bizneset britanike, ndërsa kompanitë në Mbretërinë e Bashkuar tashmë eksportojnë në tregun e saj në rritje prej 85 milionë banorësh”, shtoi ajo.
Ambasadorja e Britanisë në Turqi, Jill Morris, publikoi një video-mesazh sot, duke thënë se një MTL e re e forcuar dhe moderne do të përmirësojë marrëdhëniet tregtare dypalëshe.
“Mezi pres bashkëpunim dhe diskutime të mëtejshme në partneritetin tonë dypalësh për të nxitur prosperitetin si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu edhe në Turqi”, shtoi ajo.