Autoritetet polake kanë hedhur poshtë pretendimet e bëra nga homologët e tyre gjermanë se merkuri në lumin Oder mund të jetë shkau për ngordhjen e mijëra peshqve në javët e fundit.
Testet gjermane tregojnë praninë e merkurit, ndërsa autoritetet pohojnë se janë shkelur standardet për ujërat sipërfaqësore, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Tonelata me peshq të ngordhur janë gjetur që nga fundi i korrikut në lumë, i dyti më i gjatë në Poloni, një pjesë e madhe e të cilit shërben si kufi me Gjermaninë.
Testet e kryera në mënyrë të vazhdueshme që nga 10 gushti nga Laboratori Qendror Polak i Kërkimit i Inspektoratit Kryesor të Mbrojtjes së Mjedisit, nuk konfirmuan praninë e merkurit, sipas inspektoratit të hënën.
Më tej shtohet se pikat e grumbullimit të mostrave të gjermanëve nuk ishin në pjesën kryesore të Lumit Oder, por në degët dhe rrjedhjet e tij.
Ministrja e Mjedisit e Polonisë, Anna Moskwa, duke folur pas takimit me homologun e saj gjerman në Szczecin të dielën, tha se “Deri më sot, asnjë nga testet (të ujit) nuk ka konfirmuar praninë e substancave toksike … Në të njëjtën kohë, ne po kryejmë teste mbi peshqit. Kemi kryer testet për merkurin dhe metalet e rënda. Në mostrat e mbledhura nuk u gjetën as merkur dhe as metale të rënda”.
Moskwa tha se do të kryhen kontrolle për rreth 300 substanca të tjera.
Ajo shtoi se gjithashtu janë duke u kontrolluar edhe subjektet që drejtojnë biznese dhe aktivitete industriale përgjatë lumit.
Mateusz Morawiecki, kryeministri i Polonisë, ka thënë se qeveria e tij do të shtrëngojë ligjet kundër hedhjes së paligjshme të mbetjeve në lumenj dhe kjo temë do të debatohet në mbledhjen e kabinetit të martën.
Sipas ministres gjermane të Mjedisit, Steffi Lemke, Komisioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Lumit Odra nga Ndotja (ICPO) ka planifikuar një takim për të enjten./FolDrejt/